Kantautori i njohur, Don Arbas, është mjaft aktiv dhe i ndjekur në rrjetet sociale.
Jo pak herë ai shpreh qëndrimin e tij lidhur me ndonjë çështje të caktuar qoftë sa i përket industrisë së muzikës apo ngjarjeve aktuale politike.
Së fundmi, producenti i njohur i shumë këngëve të estradës, ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një pyetje publike, së cilën ia ka drejtuar Ministrit të Shëndetësisë.
Kjo pasi ky i fundit njoftoi sot (e mërkurë) në një konferencë për shtyp masat e reja anti-COVID, ku pas 27 shtatorit njerëzit e pa vaksinuar nuk do të lejohet të qëndrojnë në ambientet e brendshme, në të kundërt ata duhet të ofrojnë një test negativ brenda 24 orëve.
Dhe mu për këtë shqetësim, Don Arbas ka shkruar një pyetje publike ndaj Ministrit, duke shkruar se a do të vlejë e njëjta për zgjedhjet lokale 2021, që do të mbahen më 17 tetor.
“Arben Vitia: A ka me u leju me votu pa certifikatë të vaksinimit ose test negativ?”, ka qenë pyetja e parashtruar nga producenti, emri i vërtetë i të cilit është Artan Bajrami.
Një pyetje e tillë mesa duket vjen pasi kjo masë e re po shihet nga disa si “presion” për të marrë sa më parë vaksinën anti-COVID. /Telegrafi