Familja 4 anëtarësh e Shyqyri Mehmedit nga Ferizaj, tani e tutje do të jetojë në banesën e re dhe mjaft komfore, të cilën ua bëri befasi një qytetar që dëshiron të ngelë anonim.
Halil Kastrati, drejtor i shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, ka thënë për Ekonomia Online, se këtë familje e kanë ndihmuar disa herë dhe se ka jetuar në një shtëpi që nuk i ka plotësuar kushtet elementare për jetesë.
Kastrati tregon se këtë banesë që ka kushtuar 41 mijë euro e ka mundësuar një qytetar i cili ka dashur të mbetet anonim.
“Posa e kemi paraqitur këtë rast menjëherë na është ofruar një qytetar i cili ka dhuruar paratë e duhura dhe ne më pas e kemi ble banesën dhe ua kemi bërë surprizë familjes Mehmedi, e cila ka jetuar vetëm me një social dhe në kushte mjaftë të rënda. Shpeshherë donatorët dëshirojnë të mbesin anonim, sikurse edhe në këtë rast”, ka thënë ai.
Bashkëshortja e Shyqyrisë rrëfen momente prekëse nga e kaluara e jetës së tyre. Për më tepër ajo thotë se edhe djalin e vetëm e kanë të sëmurë.
Megjithatë, ajo thotë se tani e tutje do ta kenë më të lehtë jetën, ngase banesa e blerë i plotëson të gjitha kushtet.
“Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që na kanë ndihmuar. Posaçërisht donatorin edhe pse nuk e dimë se kush është. Po ashtu falënderojmë edhe Halilin që na ka ndihmuar vazhdimisht. Kemi jetuar në kushte të rënda edhe djalin e kemi të sëmurë. Por tash falë këtyre bamirësve ne do të jetojmë një jetë normale”, tha ajo.
Ajo me lot në sy thotë se asnjëherë nuk ka besuar se një ditë do të bëhej me banesë të tillë dhe tanimë çdo gjë i duket si ëndërr.
Banesa është 89 metra katrorë dhe komplet e mobiluar.
Kastrati ka bërë të ditur se edhe në ditët dhe javët në vazhdim do të vazhdojnë të zgjedhin problemin e banimit për disa familje që jetojnë në varfëri të skajshme.