Donis Avdijaj është shumë pranë largimit nga Willem II, dhe kalimit në klubin zviceran Luzern. Mediat zvicerane njoftojnë se Luzerni është duke bërë përpjekje ta transferojë kosovarin para se afati kalimtar i janarit të mbyllet në shtetin helvetik.
Edhe pse ylli i Kosovës, Donis Avdijaj, ka qenë pjesë kyçe e skuadrës së Willem II në fillim të këtij sezoni, ai nuk është paraqitur asnjëherë që prej 18 dhjetorit dhe praktikisht është buzë largimit nga klubi holandez.
22-vjeçari i prishi marrëdhëniet me klubin në fund të vitit të kaluar, kur doli nga hoteli bashkë me tre bashkëlojtarë të tjerë pa marrë leje nga klubi fillimisht. Si pasojë, ai u pezullua për ndeshjen ndaj Emmenit.
Klubi kishte tentuar ta mbante të fshehur këtë incident duke e paraqitur lojtarin si të lënduar. Megjithatë, duket se kosovari është përjashtuar nga skuadra.
E përditshmja zvicerane Blick raporton se drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer, është duke bërë përpjekje ta sigurojë transferimin e Avdijajt.
Në Luzern në Superligën e Zvicrës – nivelin më të lartë të futbollit në shtetin helvetik – Avdijaj do t’iu bashkohej dy kosovarëve të tjerë, Shkëlqim Demhasajt dhe Dren Fekës.
Avdijaj u transferua nga Schalke në Willem II në gusht të vitit 2018, por duket se pas 19 paraqitjeve dhe tetë golave e gjashtë asisteve për klubin në të gjitha garat, ai do të largohet në ditët në vazhdim.
Afati kalimtar i janarit në Zvicër mbyllet të premten në orën 23:59.