Sulmuesi kosovar i Hearts, Donis Avdijaj, është shprehur i penduar që i kishte refuzuar mundësitë për të luajtur për Liverpoolin dhe Real Madridin në fillim të karrierës së tij si futbollist, sa ishte në Schalke.
23-vjeçari iu bashkua akademisë të së rinjve të Schalkes nga VFL Osnabruck në vitin 2011. Pasi i kishte kaluar tre sezone në sistemin e të rinjve në Schalke, ai ishte promovuar në ekipin e parë në vitin 2014, transmeton Gazeta Express.
Duke folur për mediumin gjerman Sport1, kosovari zbuloi se ai kishte refuzuar oferta nga Liverpooli dhe Real Madridi gjatë kohës së tij në Schalke.
“Gabimi im më i madh ishte që e refuzova një mega ofertë nga Liverpooli para se ta nënshkruaja kontratën afatgjatë me Schalken, gjë që e kisha shumë afër zemrës. Unë kisha ofertë edhe nga Real Madridi”, tha Avdijaj.
Avdijaj nuk arriti ta dëshmonte veten ne Schalke dhe për këtë arsye u dërgua si huazim në dy klube, para se të shitej në Willem II në vitin 2018.
Verën e kaluar, klubi holandez e shiti atë në Trabzonspo dhe, pasi i kaloi gjashtë muaj atje, ai arriti në Skoci për ta vazhduar karrierën me klubin Hearts.
Avdijaj gjithashtu e theksoi se ai nuk e mori përkrahjen e nevojshme nga ish-klubi i tij dhe në këtë situatë nuk e ndihmoi aspak klauzola 47 milionë eurosh për shitjen e tij.
“Mua më bëri të lumtur atëherë [në vitin 2014], nuk e dija çfarë ishte me të vërtetë. Unë ende besoj se atëherë nuk m’u dha përkrahja e nevojshme nga Schalke, përndryshe shumëçka do të kishte shkuar ndryshe”, shtoi Avdijaj.
“Megjithatë, ka gjithmonë momente kur duhej t’ia hapja vetes rrugës me vështirësi dhe, falë Zotit, unë kam arritur deri këtu. Por, në atë kohë, nuk isha lojtari që stërvitjet dhe luante me profesionistë, thjesht lojtari me klauzolën prej 47 milionë eurosh. Kjo gjithmonë më ka rënduar”.