Donjeta Sadiku të enjten do ta nis garën në Kampionatin Evropian për Seniorë në boks në konkurrencën e femrave, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë nga e marta deri më 12 qershor.
Kampionia e padiskutueshme në boksin kosovar, Sadiku, aventurën në Evropianin për Seniorë do ta nisë kundër boksieres polake, Aneta Rygielska. Kjo është vendosur të martën në shortin e hedhur në Sofje, raporton KTV.
Boksierja e talentuar thotë se është mjaft e përgatitur dhe shpreson që në kategorinë deri në 60 kg të tregojë një tjetër sukses për boksin e Kosovës.
E për të arritur medalje nga ky Kampionat Evropian nga Sadiku, shpresa ka edhe trajneri Besim Brahimi. Stafi i Kosovës që nga 21 maji ka qenë në një kamp stërvitor në Sofje të Bullgarisë dhe trajneri Brahimi thotë se të gjitha përgatitjet janë bërë për paraqitje sa më të mirë në këtë garë.
Boksierja Donjeta Sadiku në vitin 2015-të doli nënkampione e Botës, ndërsa një vit më pas u shpall më e mira në Evropë për kategoritë e reja. Vitin që e lamë pas, doli e dyta në Evropianin për të rinj, ndërsa sivjet garon për herë të parë në nivele të larta si seniore.