Dorajet Imeri: Vuçiq po rikthen narrativën e viktimizimit të Serbisë, pa reflektim për krimet e së kaluarës

Prishtinë | 28 Shk 2026 | 20:10 | Nga Dorajet Imeri

Politologu Dorajet Imeri ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vučić, duke e akuzuar atë për rikthim të narrativës së vjetër të viktimizimit të Serbisë dhe mungesë reflektimi për të kaluarën.

Në një postim me titull “Malli i Vuçiqit për Millosheviqin”, Imeri ka kritikuar krahasimin që Vuçiqi i ka bërë situatës në Iran me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

“Vuçiç po e krahason situatën në Iran me ndërhyrjen e NATO-s më 1999, duke rikthyer narrativën e vjetër të viktimizimit të Serbisë, por pa asnjë reflektim për regjimin gjenocidial të Millosheviqit dhe krimet e kryera në Kosovë,” ka shkruar Imeri.

Sipas tij, në vend të një distancimi të qartë nga politika e viteve ’90 dhe regjimi i Slobodan Milošević, retorika aktuale vazhdon të relativizojë historinë.

“Në vend të distancimit të qartë nga e kaluara, vazhdon retorika që relativizon historinë dhe e paraqet Serbinë si viktimë të përhershme. Nuk ka pranim përgjegjësie, nuk ka pendesë, nuk ka sinjal serioz se politika e sotme është shkëputur nga logjika e viteve ’90,” ka theksuar ai.

Imeri ka vlerësuar se deklaratat e tilla nuk janë vetëm për konsum të brendshëm politik, por bartin mesazhe me peshë për rajonin dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Këto deklarata nuk janë vetëm fjalë për konsum të brendshëm. Ato janë mesazhe politike me peshë, që duhet të merren seriozisht nga rajoni, SHBA dhe BE. Stabiliteti në Ballkan nuk ndërtohet mbi mohimin e së kaluarës, por mbi përballjen me të vërtetën,” ka shkruar ai.

Politologu ka paralajmëruar për pasojat e neglizhimit të retorikës nacionaliste.

“Historia na ka mësuar se kur retorika nacionaliste neglizhohet, pasojat mund të jenë të rënda,” ka shtuar Imeri.

Të ngjashme