Pas vetëm tre javësh në detyrë, u largua Michael Flynn njëri nga këshilltarët më të rëndësishëm të presidentit, Donald Trump. Dorëheqja e tij është hapi i duhur dhe dështim i rëndë për presidentin amerikan.
Që me krijimin e këtij posti në vitin 1953, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan është një nga aktorët më me influencë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të qeverisë amerikane. I emëruar direkt nga presidenti, ai përcakton në masë të madhe orientimin e politikës së jashtme amerikane.
Këshilltarë të sigurisë si Henry Kissinger, Zbigniew Brzezinski, Brent Scowcroft apo Condoleezza Rice kanë vënë vulën e tyre në politikën e presidentit. Sigurisht ata kanë qenë të kontestuar në këtë post, dhe janë ende edhe sot. Por në historinë 60 vjeçare të këtij posti, nuk është larguar asnjë këshilltar Brenda 24 ditësh. Me këtë presidenti amerikan futet në histori.
Autoritetet bëjnë vlerësimin e telefonatave
Natyrisht dorëheqja e Flynns është hapi i duhur, ai është madje i vonuar. Më së voni kur pak ditë pas marrjes së postit nga Trump, u bë e ditur se FBI me autoritete të tjera po analizonte telefonatat e të emëruarit si këshilltar për sigurinë kombëtare me ambasadorin rus, u bë e qartë se për Flynn akulli po thyhej. Flynn kishte telefonuar me ambasadorin rus, pikërisht në atë ditë, kur presidenti ende në detyrë, Barack Obama vendoste sanksione kundër Rusisë.
Flynn, i cili në fillim deklaroi, se nuk ka folur me ambasadorin rus për sanksionet, bëri të ditur javën e shkuar përmes zëdhënësit, se nuk mund të përjashtojë, se kjo temë është prekur. Por për çudi nuk ishte ky pohim që çoi në dorëheqjen e tij, por fakti, që ai me këtë mashtrim ka vënë në pozitë të vështirë zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence.
Sepse ky i fundit ishte bazuar në deklaratat e Flynns, që nuk është folur me të dërguarin e Moskës në Uashington për sanksionet dhe e mbrojti publikisht këshilltarin e presidentit. Por tani që duket se kjo bisedë është zhvilluar, rrezikohet rëndë besueshmëria dhe imazhi i zëvendëspresidentit – vetë tre javë në këtë post. Me këtë u bë i pashmangshëm largimi i Flynn.
Goditje për Trump
Dorëheqja e Flynn është kështu jo vetëm e nevojshme, për të mos e dëmtuar më tej administratën e Trump. Ky hap mund të përshëndetet edhe për arsye politike. Sepse me islamofobinë e ashpër, të shprehur pa takt në publik, apo afërsinë me Rusinë, Flynn ishte që para marrjes së postit një nga më të kontestuarit si ekspert republikan i sigurisë dhe politikës së jashtme.
Ai që e mbajti Flynn në post, me-gjithë kontestimet, ka qenë Donald Trump. Prandaj largimi i tij kaq i shpejtë, është edhe një goditje e rëndë për presidentin.