Ka dhënë dorëheqjen kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons. Lajmin e ka publikuar e përditshmja franceze “Le Monde”, transmeton KTV.
“Javëve të fundit, kam raportuar disa raste korrupsioni brenda misionit. Në veçanti, kam ngritur çështjen e hakimit të e-mailit tim nga një tjetër gjyqtar i EULEX-it. Kam kërkuar nga Zyra Britanike për Marrëdhënie me Jashtë dhe BE-ja të dërgojnë rastin në polici. Të dyja refuzuan të më mbështesin”, ka thënë Simmons.
Ai ka vazhduar me akuza të tjera ndaj misionit, duke e cilësuar tërësisht politik.
“EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë,” ka thënë Simmons.
Ai ka qenë gjyqtar që nga fillimi i misionit më 2008-ën derisa nga viti 2014 ka kryesuar asamblenë e Gjykatësve të EULEX-it.