Ministrja e Brendshme e Portugalisë, Constanca Urbano de Sousa, ka dhënë dorëheqje të mërkurën, pas zjarreve që vranë më shumë se njëqind njerëz gjatë muajve të fundit.
Ministria e Brendshme është përgjegjëse për zjarrfikësit, policinë dhe agjencinë e mbrojtjes civile, që janë përballur me kritika pas zjarreve.
“Nuk kisha kushte politike dhe personale për të vazhduar në postin tim”, ka thënë në letrën e saj të dorëheqjes ministrja Sousa.
Kryeministri Antonio Costa, ka thënë përmes një kumtese se ai ka pranuar dorëheqjen e ministres.
Qindra zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Portugalinë veriore dhe qendrore që nga e diela, pas verës më të thatë në gati 90 vjet, duke vrarë të paktën 41 vetë. Zjarret e këtij viti kanë djegur në total 350,000 hektarë tokë.