Edhe pse praktikisht është shef edhe i Policisë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se nuk kishte haber kur policia u vu në aksion, në mes të marsit, për t’i arrestuar 6 shtetas turq.
Ata u arrestuan në disa lokacione në Kosovë, nën dyshimin se janë pjesë e organizatës FETO të Fetullah Gulenit, që presidenti turk e vlerëson si organizatë terroriste. Veprimi u dënua ndërkombëtarisht dhe vetë Haradinaj doli kundër, por veprimin e arsyetoi presidenti Thaçi, transmeton KTV.
Turqit u deportuan dramatikisht në Stamboll dhe u raportua se ishin vetë agjentët e MIT-ut turk për t’i marrë. Pasoja politike pati gjithsesi. Haradinaj e shkarkoi Ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe shefin e AKI-së, Driton Gashi. Nga Ankaraja, Erdogani i çoi selame Haradinajt se edhe ai mund të shkarkohet, selame të cilat ky i kaloi kryesisht në heshtje.
Saga me deportimin vazhdoi gjithë vitin, me krijimin e një komisioni hetimor nga Kuvendi, i cili ftoi protagonistët për raportim. Aty shkoi Haradinaj, por refuzoi presidenti Thaçi.