Dorëzohen dy raportet e para të ADN-së për dy viktima të humbura të diktaturës komuniste

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) u dorëzoi autoriteteve shtetërore dy raportet e para të përputhjes së ADN-së një vit pas marrëveshjes së bashkëpunimit për të identifikuar kundërshtarë politikë të diktaturës komuniste.

Këto raporte ADN-je mundësojnë për herë të parë identifikimin e saktë të dy personave.

Projekti pilot i ICMP-së, i financuar nga Bashkimi Europian, po zbatohet në malin e Dajtit dhe në kampin e Ballshit për identifikime të viktimave të komunizmit përmes ADN-së.

“Familjet e mbi 6 mijë personave të humbur gjatë regjimit komunist ende edhe sot presin përgjigje shumë kohë pas regjimit komunist dhe tranzicionit të demokracisë. ICMP ka nisur një projekt të mbështetur nga BE-ja për të ndihmuar autoritetet shqiptare që të plotësojnë detyrimet ndaj atyre familjeve”, tha Matthew Holliday, Shef i Programit për Ballkanin Perëndimor, ICMP.

Ai shtoi se kur projekti nisi në Dajt dhe në Ballsh kishte një mosbesim të përgjithshëm se si mund të identifikoheshin personat e humbur pas disa dekadash, ndërsa janë gati dy raportet e para me identifikim ADN-ja.

“Këto raporte mundësojnë identifikimin nga autoritetet të dy personave të humbur gjatë periudëhs komuniste dhe kthimin e trupave të tyre pranë familjeve për të kryer nderime me dinjitet”, tha zoti Holliday.

“Takimi i sotëm tregon respektin e thellë që kemi për secilën viktimë të regjimeve totalitar. BE është e nderuar që u bë pjesë e këtij projekti dhe së bashku me autoritetet dhe gjithë vendet anëtare të sigurohemi që secili prej viktimave të kujtohet, duke u siguruar që krime të tilla kundër njerëzimit dhe ato shkelje sistematike të të drejtave njerëzore të mos harrohen dhe të garantojmë që ato krime mos përsëriten më”, tha Monika Bylaite, zëvendës shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Mbi 600 familje kanë bërë deri tani deklarata për humbjen e të afërmve të tyre gjatë regjimit komunist, ndërsa qytetarë të ndryshëm kanë dhënë informacione për 37 vend-varrime gjatë diktaturës.

Në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, projekti i ICPM nisi i vetëm në dy pika në Dajt dhe në Ballsh dhe po ndihmon autoritetet të përmbushin detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut ndaj familjeve të personave të humbur.

Të ngjashme