Dorëzohet VV-ja, fut në rend dite Komisionin Hetimor për dyshimet me menaxhimin e krizës energjetike

Prishtinë | 21 Pri 2022 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje është dorëzuar nga kërkesa e partive politike për krijimin e Komisionit Hetimor rreth dyshimeve për keqpërdorime në menaxhimin e krizës energjetike.

Përmes një njoftimi për medie, Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se të enjën e ardhshme me fillim prej orës 10:00, do të mbahet seanca e ardhshme plenare dhe pika e rendit të ditës në këtë seancë do të jetë krijimi i këtij komisioni.

“Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në rend dite do të jetë propozimi i 40 deputetëve për caktimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, raporton Demokracia.com.

Po ashtu është bërë e ditur se të enjten e 28 prillit do të bëhet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare, për të vijuar me zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë, si dhe të tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Seanca pritet të përmbyllet me formimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Theksojmë se krijimi i Komisionit Hetimor Parlamentar ka ardhur me kërkesë të opozitës, përkatësisht me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët kanë kërkuar hetimin e mjeteve që janë ndarë nga Qeveria për menaxhimin e krizës energjetike.

Të ngjashme