Policia e Vlorës ka referuar në prokurori materialet në lidhje me sekuestrimin e 4 tonëve hashash në operacionin e kryer në fshatin Babicë.
Dosja referuar organit të akuzës është në ngarkim të vëllezërve Habilaj, të akuzuar edhe nga drejtësia italiane për trafikim ndërkombëtar droge.
Mbrëmjen e së premtes janë zhvilluar kontrolle në disa objekte nga policitë e dy qarqeve, Vlorë dhe Fier.
Policia thotë se po vijon aksionin për identifikimin dhe kapjen e anëtarëve të tjerë të grupit të Babicës, si dhe kontrollet në prona dhe objekte të tjera në pronësi të Habilajve.
Gjithashtu, paralelisht me këto kanë nisur procedurat edhe për identifikimin dhe sekuestrimin e llogarive bankare, si dhe të pronave të ndryshme të këtij grupi, që dyshohet se janë vënë nga paratë e drogës.