Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ia kanë dorëzuar dosjen për vetting në drejtësi, kryekuvendarit Glauk Konjufca.
Dorëzimi i dosjes është bërë pas konferencës së përbashkët për media që patën Kurti e Haxhiu.
“Pas një pune intensive, e konsultimeve me grupe parlamentare, po e dorëzojmë në Kuvend dosjen për dokumentet e vettingut, përfshirë amandamentet kushtetuese për vettingun, draftin, projektligjin për vettingun, e dokumentin shpjegues lidhur me vettingun të hartuar nga Minsitria e Drejtësisë”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.
Ajo ka treguar se janë amandamentuar të gjitha dokumentet bazuar me opinionin e Komisionit të Venecias.
“Në shtator po e dorëzojmë në Kuvend një proces me peshë të madhe për ne si Qeveri, për shtetin, e sidomos për qytetarët e Kosovës që po e kërkojnë me ngulm. Vazhdimisht jemi dëshmitarë të neglizhencës, mosveprimit e pandëshkueshmërisë. Gjyqtarët e prokurorët tanë konsiderohet se kanë pagat më të larta në rajon, për shkak të mosveprimeve të tyre apo veprimeve të gabuara, ne po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, po dhunohen fizikisht e financiarisht gratë e vajzat e korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”, ka thënë Haxhiu.
Sa i përket rastit të dhunimit të 11-vjeçares ajo ka thënë se janë dhënë dy dorëheqje tashmë dhe se uron të ketë edhe tjera.
“Kam kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Para dy ditëve janë arrestuar 6 persona që dyshohen se dhunuan fëmijën 11-vjeçar. Po të vepronte prokuroria me kohë ata do të arrestoheshin më herët. Vepruan pas dy muajve. Është me rëndësi që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës të jap dorëheqje. Ne po shohim brenda MPB-së e MD-së të identifikojmë persona tjerë përgjegjës që mund të lidhen ndonjëfarë forme me rastin. Kemi parë edhe kërkesat e ojq-ve që kanë protestuar me këtë rast. Sa i përket kërkesës për legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje, kemi caktuar dy grupe për analiza në aspektin ligjor e të sigurisë. Sa i përket shkarkimit të zyrtarit përgjegjës të Policisë, janë shkarkuar personat përgjegjës”, ka thënë Haxhiu.