Drafti i Raportit të Progresit me kritika për Serbinë, nënvizohet dhuna ndaj protestuesve

Prishtinë | 03 Nën 2025 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Në një draft të Raportit të Progresit për vitin 2024,Serbia është kritikuar për mospërshtatje të politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, madje është thënë edhe se Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për luftën që nisi në Ukrainë. Më tej në draft raportin që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, theksohet se Serbia vazhdon të kultivojë lidhje të ngrohta me Moskën.

Në pjesën për Serbinë përmendet se ky vend, ndonëse i ka hapur 22 prej 35 kapitujve në kuadër të negociatave për anëtarësim, ai duhet të marrë më shumë përgjegjësi për komunikim më proaktiv dhe objektiv në procesin e anëtarësimit dhe që duhet ta shmangë retorikën kundër BE-së.

“Polarizimi i shoqërisë serbe është thelluar për shkak të protestave masive që janë organizuar nga studentët dhe qytetarët tjerë prej nëntorit të vitit 2024, duke reflektuar zhgënjimin e qytetarëve lidhur me çështje si korrupsioni dhe perceptimi për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, shoqëruar me raste të përdorimit të tepruar të dhunës kundër protestuesve si dhe presionit ndaj shoqërisë civile”.

Mes tjerash, Serbia është kritikuar për mospërshtatje të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së, andaj i është kërkuar që të përafrohet me bllokun.

“Sigurimi i shpejtë i të drejtave të udhëtimit pa viza në BE për shtetasit e Rusisë duke u dhënë atyre shtetësi serbe, paraqet rreziqe potenciale sigurie për BE-në”, është përmendur gjithashtu në raport.

Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, dhe vazhdon të kultivojë lidhje të ngrohta me Moskën.

Serbia është kritikuar edhe për tentimet për të zvogëluar pavarësinë e gjyqësorit, çka më pas minon sundimin e ligjit dhe demokracinë, si dhe për kufizimet në liritë e tubimit dhe shprehjes.

Të ngjashme