Drama e sirianëve përlot Berlinalen

Prishtinë | 16 Shk 2017 | 14:46 | Nga

Një film që tregon impaktin e luftës civile te një familje siriane përloti audiencën e Festivalit të Filmit në Berlin.

“Insyriated” është xhiruar kryesisht brenda mureve të një apartamenti, që kthehet në një burg për Oum Yazan, një nënë e vendosur për t’i mbijetuar luftës, brutaliteti i së cilës përcillet mes zhurmës së bombave dhe të shtënave nga snajperët.

Regjisori Philippe Van Leeuw tha se vendimin për të treguar sesi ishte katandisur Siria e kishte marrë në vitin 2013.

“Vendosa të hapja një dritare ndaj vuajtjeve të këtyre njerëzve që janë të bllokuar atje. Ata nuk kanë asnjë qëllim tjetër, përveçse të mbijetojnë edhe një tjetër ditë”, tha ai.

Filmi nxit shikuesit të pyesin veten sesi do të vepronin në të njëjtën situatë. Heshtja dhe lotët që pasuan ekranizimin në Berlinale, për regjisorin nënkuptojnë përmbushjen e qëllimit të tij, shkruan Top Channel.

“Insyriated” u shfaq si pjesë e seksionit “Panorama” në Berlinale dhe nuk garon për çmim.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme