Drecun flet për “ripopullim të Mitrovicës së Jugut”

Prishtinë | 03 Shk 2019 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i të ashtuquajturit Këshill për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka folur rreth idesë për të bashkuar Mitrovicën, duke thënë se fillimisht serbë duhet të kthehen në jug.

Drecun ka thënë se shqiptarët fillimisht duhet t’i mundësojnë kushtet për kthimin e serbëve në jug prej nga, sipas tij, ata ishin dëbuar. E pastaj ai ka thënë të bisedohet për gjëra të tjera.

“Shqiptarët që shkuan gjatë luftës nga pjesa veriore, janë kthyer në veri. Por serbët nuk janë kthyer në jug. Le ta bëjnë së pari këtë e pastaj do të flasim për gjëra të tjera. Dëshira e populli serb që jeton në veri me siguri se nuk është për bashkim të Mitrovicës, ndërsa vetë bashkimi do të thoshte mungesë totale të popullit serb në veri të Kosovës”, citon b92 të ketë thënë Drecun.

Ai ka folur edhe për miratimin e statusit të Trepçës dhe kundërshtimin tij nga Serbia.

“Ata fizikisht nuk mund ta vënë kontrollin e vet në kombinat. Këtë do ta kundërshtojnë populli serb, punëtorët e Trepçës. Por shqiptarët mund ta pengojnë afarizmin e kombinatit dhe kështu ta rrezikojnë edhe më tepër ekzistencën e popullit serb”, ka thënë Drecun.

Të ngjashme