Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka folur për formimin e qeverisë së re kosovare.
Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nuk mund të bisedojnë.
Sipas Drecunit, Kurti është një figurë politike e papjekur dhe që ka pikëpamje ekstreme politike dhe siç u shpreh, ai, deklaratat e Kurtit për dialogun Kosovë-Serbi janë cinike, transmeton lajmi.net.
“Deklarata e tij se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, bie në kundërshtim me ato që i thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kur dikush të kërcënon me padi për gjenocidin e fabrikuar, kur sjell në qeveri njerëz kriminel dhe kur ka vrarë mizorisht rojet tona kufitare, si mund të besohet deklarata e tij se është gati për dialog?”, u shpreh Drecun për “Tv Pink”.
Mirëpo në “Qevetinë Kurti”, Lista Serbe do të përfaqësohet me dy ministri, e për këtë Drecun ka thënë se pavarësisht kësaj, Kurti është kundër procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Qeveria e cila do të udhëhiqet nga Kurti, jo vetëm që është kundër procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, por edhe kundër bashkëjetesës së të dy popujve”, u shpreh Drecun në këtë intervistë, transmeton më tutje lajmi.net.
Sipas tij, programi qeveritar i Albin Kurtit është i tillë që e bën të pamundur vazhdimin e dialogun dhe se ky dialog mund të përfundojë vetëm me presionin ndërkombëtar.
“Unë nuk shoh se ka vend për arritje të marrëveshjes. Kurti nuk lejon asnjë mundësi të gjetjes së një zgjidhjeje”, tha më tutje Drecun.
Në këtë intervistë Drecun ka folur edhe për shërbimin ushtarak që Kurti gjatë së hënës tha se do të jetë i obligueshëm.
Drecun thotë se shërbimi ushtarak i obliguar po përdoret nga Kurti kundër popullit serb që jeton në Kosovë dhe se me këtë, Kurti vetëm sa do të zhvillojë edhe më shumë luftë dhe do të bëj spastrim etnik të popullit serb në Kosovë.
“Kurti gjithashtu ka hapur një padi kundër Serbisë për gjenocidin e pretenduar dhe e gjithë kjo është e kundërta e dialogut”, u shpreh Drecun. /