Kryetari i Komisionit për Kosovë i Kuvendit të Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë sot se është shumë e rëndësishme që serbët në veri të Kosovës dhe grupet e caktuara që kanë ide të ndryshme se si duhet të mbrohen interesat e serbëve në veri, t’i kuptojnë mesazhet e dërguara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe të shmangin çdo konflikt me KFOR-in.
Drecun vlerësoi se sipas tij, rënia e Listës Serbe dhe e liderëve të saj rrëzon drejtpërdrejt mundësitë e Beogradit dhe presidentit Vuçiq për të ndihmuar popullin serb që të përballet me krizën aktuale.
‘’Është e një rëndësie të veçantë që përgjigjet e serbëve të jenë të natyrës politike dhe çdo gjë që është përgjigje politike e serbëve është e pranueshme. Gjëja e dytë që dua të theksoj është se ka individë që do të shkatërronin reputacionin e Listës Serbe dhe ndikimin e saj në popullin serb, dhe në këtë mënyrë do t’i privonin Presidentit të Serbisë mundësinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme për t’i ndihmuar serbët’’- tha Drecun, raporton Kosovo Online.
Ai shtoi se ka grupe dhe individë që e bëjnë këtë dhe theksoi se nëse disa njerëz e kanë idenë se zgjidhja e vetme e krizës mund të jetë hyrja e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë, ata duhet të mendojnë me kujdes se cilat do të ishin pasojat e këtij hapi.
‘’ Serbët në veri të Kosovës duhet të kuptojnë mesazhet që vijnë nga Beogradi dhe se është Lista Serbe ajo që është lidhja politike me Beogradin. Ata duhet të dëgjojnë se çfarë u thonë personat nga Lista Serbe dhe të sillen ashtu siç udhëzohen nga ata’’- shtoi Drecun.