Nysrete Kumnova e ka përjetuar si thikën në zemër iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për ta themeluar Komisionin për të vërtetën dhe pajtimin. Ajo s’do pajtim.
Ka një arsye të fortë për këtë që thotë. Prej 18 vjetësh, Kumnova jeton me ankthin për të birin e vetëm që e kishte, Albionin. Forca të armatosura serbe ia kishin marrë në shtëpi dhe prej atëherë nuk di gjë për të, shkruan sot “Koha Ditore”. Shpresat që mund të gjendet i gjallë i kanë vdekur tashmë dhe ajo që kërkon, janë eshtrat e të birit. Por shteti serb nuk ka demonstruar vullnetin për të treguar të vërtetën për Albionin dhe për afro 1600 të pagjetur të tjerë.
Prandaj Kumnova këmbëngul se është herët që t’i shtrihet dora Serbisë.
“Nuk është koha e pajtimit. Është koha, dhe ka qenë edhe shumë më herët, që Thaçi të kërkojë nga pala serbe që ajo të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë, që kriminelët të dalin para drejtësisë, që të paguhen dëmet e luftës, dhe që 1600 të zhdukurit të gjenden, në mesin e të cilëve është edhe djali im”, thotë Kumnova. “Serbia duhet t’i hapë dosjet dhe të tregojë për vendndodhjen e të pagjeturve. Vetë i ka rrëmbyer nga shtëpitë, nga rrugët, dhe i ka zhdukur trupat e tyre”.
Javën e shkuar presidenti Thaçi mblodhi zyrtarë të lartë shtetërorë, klerikë fetarë, pjesëtarë të korit diplomatik, bartës të institucioneve të drejtësisë dhe aktivistë të shoqërisë civile, në një takim konsultativ për themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin.(Koha Ditore)