Dy aspekte të rëndësishme që ndërlidhen me marrëveshjen e integrimit të gjyqësorit në veri, Qeveria dhe Presidenca vazhdojnë t’i mbajnë sekret. Është deklarata e betimit e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë dhe aneksi i Marrëveshjes për drejtësi që flet për vlefshmërinë e aktgjykimeve të gjykatave serbe, të nxjerra deri në vitin 2013, shkruan sot Koha Ditore.
Gazeta ka kërkuar qasje në deklaratën e betimit nga Zyra e presidentit. Me gjithë premtimin e zëdhënësit të Presidencës, Artan Behrami, se deklarata do të vihet në dispozicion të premten, kjo nuk ka ndodhur. Burime të gazetës kanë thënë se “fshehja e deklaratës dhe e disa çështjeve të tjera rreth Marrëveshjes janë bërë me kërkesë të Serbisë”. Edhe zgjedhja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe e stafit mbështetës është bërë me propozimin e Serbisë.
Ditëve të fundit ka qarkulluar përmbajtja e tekstit për të cilin është thënë se gjyqtarët dhe prokurorët e integruar serbë kanë vënë firmat mbi të. Aty nuk figurojnë simbolet e shtetit e as denominimi “Republika e Kosovës”.