Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në kuadër të Sallonit të së Martës ka organizuar debatin me temën “Drejtësia Tranzicionale në Kosovë – Ku qëndrojmë 25 vite pas luftës?”, raporton Ekonomia Online.
Përveç katër shtyllave kryesore të drejtësisë tranzicionale, në këtë sallon janë diskutuar dhe çështjet, si dokumentimi i krimeve të luftës, ballafaqimi me të kaluarën, gjendja e të mbijetuarve sot, si dhe roli i aktorëve të ndryshëm në ofrimin e një të ardhmeje gjithëpërfshirëse, të drejtë, dhe paqësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Bekim Blakaj, drejtor Ekzekutiv në Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka thënë se roli i drejtësisë tranzicionale është që ta ndihmojë një shoqëri e cila ka dalë nga lufta dhe njëkohësisht, sipas tij t’i adresojnë shkeljet masive të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur gjatë luftës apo regjimit autoritar.
“Roli i drejtësisë tradicionale është t’i adresojë sidomos nevojat e komunitetit të viktimave dhe t’i ndihmojë asaj shoqërie, atij shteti të shndërrohet në një shtet demokratik, ku respektohen të drejtat e qytetarëve dhe gravitohet drejt një pajtimi në mes palëve që kanë qenë në konflikt. Pra ky është roli i drejtësisë tranzicionale dhe kisha përmend nuk varet krejt kjo edhe nga zbatimi apo implementimi i traditave tradicionale ka edhe faktorë të tjerë që për fat të keq në shumicën e rasteve e pengojnë zbatimin e këtij procesi të drejtësisë tranzicionale”, ka thënë Blakaj.
Ai në këtë debat ka theksuar se një nismë shumë serioze ishte iniciuar nga ish-presidenti Thaçi për themelimin e Komisionit të së Vërtetës.
“Kërkush nuk ka mujt me i ndalu institucionet e Kosovës që me kriju mekanizma të duhur për me i hetu me i gjet me i analizu dhe përfundimisht me publiku faktet mbi krimet që ka ndodhur në të kaluarën dhe kjo nuk ka ndodhut. Është themelu një komision në të kaluarën respektivisht një Institut i Krimeve të Luftës; institut i cili nuk është përkrahur dhe si i tillë nuk është që ka mundur të sjellë rezultate”.
“Kurrkush nuk ka mundur me pritë ma shumë prej një Instituti të tillë që nuk ka pasur rezultate. Pastaj është shuar ai Institut e tash është themelu një Institut i ri. Një nismë tjetër që ka qenë shumë serioze nga ish presidenti Thaçi për themelimin e Komisionit të së Vërtetës, zakonisht edhe në botë mekanizmat që realizojnë të drejtat e publikut janë këto komisionet për të vërtetën të cilat munden me pas mandat të ndryshëm qoftë më të fuqishëm apo më pak të fuqishëm, varësisht nga kush krijohet. Dihet në qoftë se krijohet nga Kuvendi me një ligj të caktuar, Komisioni mundet me pasë më shume kompetenca, mirëpo edhe kjo nuk ka ndodhur. Është ndërmarrë nisma dhe është ndalur. Krejt çka është bërë është bërë nga shoqëria civile; unë njoh plot organizata civile që kanë bërë dokumentimin e kategorive të caktuar të viktimave dhe ka mbetur aty. Mediet kanë bërë sa kanë mundur, por institucionet e shtetit kanë dështuar plotësisht në zbatimin e mekanizimit që kish me sjell një të vërtetë sado qoftë zyrtare në Kosovë”, ka thënë Blakaj.
Profesoresha Gjylbehare Murati nga Universiteti “Haxhi Zeka” ka theksuar se sa i përket punës së tyre akademike interesimi është shumë i ulët, për çka ka shprehu habinë.
“Sa i përket punës tonë akademike interesimi është shumë i ulët. Arsyen nuk kam mundur kurrë me kuptu sepse shpesh herë çfarëdo iniciative, flas për veten që jam mundu me marrë në një farë mënyre një motiv kolegët e mi kanë fillu një projekt së bashku të hulumtimit nuk kanë pasur interesim. Nuk e di pse. Çdo herë mundohna edhe studenteve tanë me ju shpjegu sepse e kemi faktikisht një obligim moral”, ka thënë Murati.
Blerim Halili nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL) e ka pranuar se janë pak të vonuar në këtë proces, por ka shtuar se janë në muajt e parë të punës dhe në këtë fazë po punojnë në mbledhjen e fakteve.
“Paksa jemi vonuar në vendosjen e disa gjërave në binarë sa i përket dokumentimit dhe zbatimit të mekanizmave të drejtësisë tradicionale. Sa i përket Institutit të Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë tashmë është themeluar. Jemi në muajt e parë të punës sonë si Institut dhe në fazë aktuale ku jemi paralelisht me punën tonë në mbledhjen e fakteve. Në lidhje me krimet e luftës dhe mbledhjen e dëshmive jemi duke punuar në konsolidimin e brendshëm si Institut dhe në krijimin e mekanizmave të brendshëm si metodologji, ashtu dhe nga ana e stafit, për të mundësuar një punë të mirë. Meqë jemi në muajt e parë jemi në fazën e hartëzimit të burimeve të dëshmive dhe dokumentacionit të rëndësishëm”.
“Sfida e parë që del para nesh pas 25 viteve është faktori kohë dhe kujtesa njerëzve. Ka kaluar një kohë e gjatë pas mbarimit të luftës. Një pjesë e dëshmitarëve ka vdekur, një pjesë e dëshmitarëve nuk i kujton dëshmitë si i ka kujtuar në vitet e para të pasluftës dhe kjo përbën një sfidë serioze në adresimin e saktë në atë se çfarë kanë parë dhe kanë përjetuar në këtë vend. Mandati ynë është në identifikimin, mbledhjen, verifikimin, dokumentimin dhe arkivimin e të dhënave dhe materialeve që kanë të bëjnë me luftën në Kosovë”, ka thënë Halili.