Drejtoresha e FMN-së: Kriza aktuale ekonomike, si asnjë tjetër

Prishtinë | 16 Tet 2020 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi pas një takimi virtual për “pasiguri të konsiderueshme”, që mund të pengojnë rimëkëmbjem ekonomike globale nga pandemia e koronavirusit.

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha se kriza aktuale është “si asnjë tjetër” dhe “kërkon hapa për të mundësuar rimëkëmbje, si asnjë tjetër”.

Parashikimi i fundit ekonomik i FMN-së vlerëson se ekonomia globale do të tkurret për 4.4 për qind këtë vit – një shifër kjo e paparë që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.

Georgieva iu bëri thirrje vendeve që të bashkëpunojnë ndërkombëtarisht, duke thënë se përshpejtimi i rimëkëmbjes mund të shtojë 9 trilionë dollarë të ardhura globale deri në vitin 2025.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitet për të nxjerrë më shumë stimuj ekonomikë.

Shpenzimet amerikane deri më tani, gjatë pandemisë, kanë pasur një ndikim shumë pozitiv në pjesën tjetër të botës, tha Georgieva.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, i tha panelit të FMN-së se Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë “paketën më të madhe të ndihmës ekonomike në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Uashingtoni ka nxjerrë rreth 3 trilionë dollarë deri më tani dhe negociatat për një raund tjetër stimulues janë në zhvillim e sipër.

“Kriza kërcënon të lërë plagë afatgjate në ekonominë globale, të tilla si rritja më e dobët e prodhimit, borxhe më të mëdha, dobësi financiare, më shumë varfëri dhe pabarazi”, tha paneli i FMN-së.

Banka Botërore ka parashikuar se pandemia e koronavirusit mund t’i çojë 114 milionë njerëz në varfëri ekstreme, që do të thotë të jetosh me më pak se 1.90 dollar në ditë.



Fjalë Kryesore:

Të ngjashme