Drejtoresha e re e komunikimeve e presidentit Donald Trump, është një ish-modele 28 vjeçare.
Hope Hicks zëvendëson Anthony Scaramucci, që u shkarkua pas 10 ditësh në detyrë. Ajo nuk ka një background në politikë por ka qenë e lidhur me familjen Trump për të paktën pesë vitet e fundit.
Dhe në heshtje, ka hapur rrugën për tu bërë një prej aleateve më të ngushta të presidentit dhe një nga punonjësit më të paguar të shtëpisë së bardhë me plot 180 mijë dollarë në vit.
Hope Hicks ka filluar karrierën e saj në marrëdhëniet me publikun dhe kompania e modës e Ivanka Trumpit ishte një prej klientëve të saj. Pasi ka modeluar për firma si Ralph Lauren, dhe është shfaqur edhe në kopertinën e revistës Gossip Girl, ajo ka modeluar edhe disa nga veshjet e Ivankës si pjesë e punës së saj.
Puna me vajzën e madhe të Donald Trump, ka bërë që Hope Hick të bjerë në syrin e presidentit. Ai personalisht e kish zgjedhur në tetor 2014, që të punonte si PR në kompaninë e tij të pronave të patundshme. Madje, ai ka thënë për revistën GQ, vitin e kaluar, se mendonte që Hope ishte e jashtëzakonshme.
Në fillim të 2015, Hope Hicks, duket sikur tentoi të hynte në sferën politike pasi shoqëroi Trump në një udhëtim që rezultoi të ishte i pari i fushatës së tij presidenciale. Ajo ndihmonte edhe në menaxhimin e llogarisë së tij në twiter.
Ndryshe nga shumë të tjerë që janë larguar apo detyruar të largohen nga rrethi i Trump, muajt e shkuar, Hope Hicks, duket se është bërë një figurë e qëndrueshme duke i shërbyer në heshtje askujt tjetër përveç presidentit e aktualisht, ajo është ndihmësja politike më jetëgjatë e tij.
Detyra e fundit e saj është në fakt një pozicion i përkohshëm…por, falë ngjitjes së shpejtë të saj në maja, askush nuk do të habitej nëse Hope Hicks do të qëndronte në post shumë më gjatë se të gjithë paraardhësit e saj.