Një tjetër shef spitalor në qendër të shpërthimit të coronavirusit raportohet se është shtruar në spital pas kontaktit me virusin vdekjeprurës.
Dr Wang Ping, drejtuese e spitalit nr.8 të Wuhan, ishte duke u trajtuar në spitalin Jinyintan të qytetit, thanë sot media shtetërore.
Vetëm dje, drejtori i spitalit në Wuhan Wuchang vdiq nga sëmundja pas ‘përpjekjeve të gjithanshme për shpëtimin e tij’, transmeton Telegrafi.
Coronavirus ka vrarë shtatë punëtorë shëndetësorë dhe ka infektuar më shumë se 1.700 staf mjekësor në Kinë.
Sëmundja e Dr Wang u raportua për herë të parë nga Pekin News, duke cituar burime brenda spitalit Wuhan nr. 8.
Artikulli u përdor gjithashtu nga media shtetërore China News.
Një mesazh që qarkullonte në mediat sociale kineze më herët sot pretendonte se mjekët kishin nevojë të madhe për plazmën e gjakut në mënyrë që të shpëtonin jetën e Dr Wang.
Autoritetet kineze u kanë kërkuar pacientëve të rikuperuar nga coronavirusi të dhurojnë gjakun e tyre sepse plazma e tyre mendohet të ketë antitrupa ndaj virusit vdekjeprurës.
Një zëdhënës në spitalin nr.8 konfirmoi se Dr Wang kishte kontakt me coronavirusin e ri dhe ishte duke u trajtuar në spitalin Jinyintan.
Spitali nuk ka komentuar për gjendjen e Dr Wang.
Lajmi vjen pasi dr Liu Zhiming, udhëheqësi 51-vjeçar i spitalit në Wuhan Wuchang, vdiq dje në mëngjes pasi ‘përpjekjet e shpëtimit dështuan’, sipas transmetuesit shtetëror CCTV.
Dr Liu u përshëndet për ‘kontributet e tij të rëndësishme në punën e luftimit dhe kontrollit të coronavirusit të ri’.