Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Avni Morinës, lidhur me akuzën se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Morina u shpall të mërkurën, nga kryetari i trupit gjykues Ilir Rashkaj, raporton “Betimi përDrejtësi”.
Krahas dënimit me 8 muaj burgim, Morinës iu shqiptua dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në afat prej 3 viteve nga dita kur ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm.
I akuzuari u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësore dhe atë paushallit gjyqësor, të paguajë shumën prej 100 euro, si dhe 50 euro të tjera në emër të kompensimit të viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Ndërsa e dëmtuara Xhevahire Hajda për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt civil.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Avni Morina akuzohej se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziut-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.
Sipas aktakuzës, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.
Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.
Për këto, i pandehuri Avni Morina akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi i parë i Kodit Penal.