Drejtori i ATK-së merr pjesë në takimin e FMN-së për reformat fiskale

Prishtinë | 02 Tet 2026 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni mori pjesë në Takimin Vjetor të Koordinimit të Programit për Reformat Fiskale në Evropën Juglindore, të organizuar nga Departamenti për Çështje Fiskale (FAD) i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), më 29 dhe 30 shtator 2026, në Bernë të Zvicrës.

Përmes, një komunikate për mediat bëhete e ditur se takimi mblodhi zyrtarë të lartë nga institucionet financiare dhe administratat tatimore të gjashtë vendeve të Evropës Juglindore, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe partnerëve të tjerë zhvillimorë.

Në fokus të takimit ishte vlerësimi i progresit të arritur dhe nxjerrja e mësimeve nga projektet e zhvillimit të kapaciteteve për katër vitet e fundit, në fushat kryesore si: menaxhimi i financave publike, administrimi i të hyrave dhe politika tatimore.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me administrimin tatimor, përfshirë rreziqet e ndërlidhura me lëvizjen ndërkufitare të personave, si dhe mundësitë për përkrahje në të ardhmen. Rezultatet e punës së administratave tatimore të vendeve pjesëmarrëse do të kontribuojnë në përgatitjen e një pasqyre krahasuese rajonale për Evropën Juglindore.

Pjesëmarrja në këtë takim përbën një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave ndërmjet institucioneve të vendeve të rajonit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e reformave fiskale dhe administrimit tatimor.

Takimi u zhvillua në kuadër të Programit për Reformat Fiskale në Evropën Juglindore, i cili synon të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e praktikave në fushën e financave publike, administrimit të të hyrave dhe politikave tatimore.

Të ngjashme