Bojan Dimiç, njëri nga drejtorët e BIA-s, shërbimit të inteligjencës së Serbisë, ka kërcënuar Presidentin amerikan Bill Klinton.
Dimiçi i njohur si një prorus, kërcënimin e ka bërë hapur në në profilin e tij në facebook me rastin e 20-vjetorit të fitores së NATO-s dhe UÇK-së ndaj forcave të armatosura serbe dhe ish-Republikës Federative të Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviçit.
Postimi i Dimiçit ilustrohet me foton falenderuese nga ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës në disa gjuhë.
Postimi i plotë i Dimiçit:
“Falenderim ish-presidentit amerikan Bill Klintonit, i cili sapo aterroi në Aeroportin e Prishtinës. Shqiptarët i falënderohen, serbët i dëboi nga Kosova, kurse koha do të tregojë nëse ky njeri ka pasur rol kryesor në ndonjë gjykim objektiv historik të agresionit të NATO-s në Republikën Federative të Jugosllavisë!”
Përndryshe, Bojan Dimiçi është një serb që është rritur në Prishtinë, me akuza të shumta nga shtypi serb për shumë keqpërdorime e përfshirje në akte kriminale. Në kuadër të shërbimit serb, udhëheq drejtorinë për terrorizëm e krim të organizuar.
Njëkohësisht, është drejtor edhe në klubin e futbollit beogradas “Crvena Zvezda”, i njohur në vazhdimësi për udhëheqjen nga kriminelë serbë, siç ishte dikur Zhelko Razhnjatoviç – Arkani, bashkëshorti i këngëtares së folkut serb Ceca.