Drejtori i BKS-së Sami Mazreku u prit nga drejtori i Byrosë të Serbisë

Prishtinë | 30 Maj 2022 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) z. Sami Mazreku është pritur në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve të Serbisë Dushko Jovanoviç dhe Drejtori i Byrosë së Kartonit të Gjelbër të kësaj shoqate, Misho Jankoviç.  

Gjatë takimit Mazreku i njoftoi ata lidhur me aktivitetet e Byrosë Kosovare të Sigurimit në dy vitet e fundit, me fokus ndryshimet legjislative dhe zhvillimet teknologjike në industrinë e sigurimeve në Kosovë.  

Mazreku po ashtu njoftoi mbi impaktin që këto zhvillime kanë në avancimin e industrisë së sigurimeve në vend, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë financiare të këtij sektori dhe mbrojtjes së të drejtave të policë mbajtësve.  

Ndërkaq në anën tjetër Jovanoviç falënderoi Mazrekun për bashkëpunimin profesional të treguar, në saje të implementimit të Memorandumit të Mirëkuptimit të arritur mbi njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për të dy vendet, me qëllim mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve nëpër territoret përkatëse.  

Ai u shpreh se marrëdhënia ndërmjet Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Shoqatës së Siguruesve të Serbisë ka avancuar jashtëzakonisht mirë në kuadër të bashkëpunimit profesional dhe se është e rëndësisë së veçantë që në të ardhmen të dyja palët të shkëmbejnë çdo përvojë të përbashkët në drejtim të zhvillimit të tregut të sigurimeve në të dy vendet. 

Të ngjashme