Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale, për FrontOnline, thotë se si projekt ka filluar nga viti 2017, por që është mundësuar nga Fondi Global dhe CDF-i, si organizatë partnere.
‘’Si projekt ka nisë nga viti 2017. Ky është një projekt që e kam lansu në vitin 2017, që mundësohet nga Fondi Global dhe CDF-i, si organizatë partnerë këtu në Kosovë. Si procedurë ka shkuar pak ngadalë, por mirë që u përfundua me sukses. MSH ka qenë përkrahëse, nuk ka krijua shumë barriera, për me realizua këtë terapi’’ thotë ai.
Nuhiu, thotë se personat mundën me përdor këtë terapi në vend të masave mbrojtëse, por që thekson se kjo terapi nuk i ndalon infeksionet tjera.
‘’Personat mundën me përdor terapi në vend të masave mbrojtëse. Kjo terapi, e parandalon infeksionin e HIV, por nuk i ndalon infeksionet tjera, nuk e ndalon me u infektu me Hepatit, ose me çfarë do infeksioni tjetër. Kjo terapi nuk mbronë nga infeksionet tjera’’ shprehet ai.
Drejtori ekzekutiv i CSGD-së, thotë se identiteti i personit që merr këtë terapi, mbrohet sa me ligj aq edhe nga stafi i Klinikës Infektive.
‘’Indenditeti i personit që merr këtë terapi mbrohet, këtë e garantoj se ne me Klinikën Infektive kemi bashkëpunim që 15 vite dhe personeli atje janë shumë të sensibilizuar dhe kemi pasua shumë raste që kanë ofruar shërbim për komunitetin dhe të dhënat janë ruajtur’’ shprehet Nuhiu.
Nuhiu, ka treguar se si përdoret kjo terapi.
‘’Kjo terapi është një kokërr që duhet marr çdo ditë. Për me qenë i sigurt duhet me marr çdo ditë, ose me marr para aktit seksual me u marr tri ditë rresht. Siç e preferon protokolli ynë, preferohet me u marr çdo ditë’’ thekson ai.
Kreu i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale, thotë për FrontOnline se janë 72 mijë kokrra të kësaj terapie që janë siguruar dhe se shprehet se do të sigurohen edhe sasi të tjera.
‘’Janë 72 mijë kokrra që janë siguruar e që janë në dispozicion dhe ka sasi të mjaftueshme, plus kanë me u porositë edhe shumë të tjera vitin e ardhshëm. Për momentin terapia është duke u dhënë nga Klinika Infektive, por terapia është siguruar nga donatori’’ tha Arbër Nuhiu.
Deva nga CDF: Projekti për terapinë ”PrEP” ka kushtuar 30 mijë euro, kemi punuar nga viti 2008 për këtë
Edon Deva, Menaxhere e Programit për HIV, pranë CDF-së, thotë për FrontOnline, se ky program për sigurimin e terapisë PrEP, ka filluar nga viti 2008 derisa thotë se nuk kanë pasur ndonjë barriera nga Ministria e Shëndetësisë.
”Ky është program i Fondit Global që ka fillua në Kosovë nga viti 2008. Prej MSH-së nuk kemi pas barrierë, por ka qenë rrugë e gjatë me bindë donatorin që me sjellë këtë grant në Kosovë edhe ia kemi arrite. MSH ka qenë përkrahës nga fillimi, ka qenë rrugë e gjatë sepse është diçka e re në Kosovën, dhe ka qenë një sfidë me institucionalizua këtë gjë’’ thotë ajo.
Deva, thekson se vlera e kësaj terapie ka kushtuar 30 mijë euro dhe se edhe vitin tjetër do të financohet nga Fondi Global, derisa nga vitit 2026 do të financohet nga Ministria e Shëndetësisë.
‘’Vetëm për terapi tash për tash sepse kjo ka me vazhdua edhe vitin e ardhshëm dhe nga viti 2026 do të financohet nga Ministria e Shëndetësisë, por vlera e projektit tash është diku 30 mijë euro, sepse është numër i kufizuar. E njëjta vlerë do të jetë edhe për vitin 2025 nga Fondi Global, e më pas MSH ka me marr për sipër me sigurua vlerën’’ thotë për FrontOnline, Edona Deva, Menaxhere e Programit për HIV.