Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë konfirmuar dy shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Kështu, ka bërë të ditur në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj.
Ai, ka treguar se si është duke shkuar procesi, duke folur edhe për sfidat që i kanë kaluar deri në hapat përfundimtar të këtij procesi.
Madje, ka treguar se ka edhe raste të tilla që në klinikat private nuk kanë pasur sukses, dhe tash janë drejtuar në Gjinekologji.
“Po mirë, ky proces ka fillu para një viti, një vit e gjysmë diku, siç e dini dhe ju, jeni të informum çdoherë. Së pari ka qenë ajo faza e parë ku është bë, domethënë, kompletimi i dokumentacioneve të pacientëve të cilët kanë probleme me infertilitet. Pastaj kemi pasë pak një ngecje me procedurat e tenderimit të dy preparateve hormonale, të cilat edhe ato janë tejkalu. Tash jemi të furnizum me të gjitha preparatet hormonale, kështu që procesi o ka ecë mirë. Kemi konfirmime edhe të shtatzënive të para. Do të thotë, mirë është, por rastet mund me thënë që janë raste të rënda që kanë tentu disa herë në klinikat private të bëhen intervenimet, i kanë bë intervenimet e IVF-it, mirëpo nuk kanë pasë sukses. Tash jemi duke i trajtua ato në klinikën tonë”, tha Ndrejaj për EO.
Ndërkaq i pyetur se sa raste kanë rezultuar pozitive, ai tregoi se deri më tani dy shtatëzani janë konfirmuar pas procesit të IVF-it.
“Po, shih, për pozitive është procedurë. IVF-i është procedurë, nuk mund të themi që sot janë bë, për shembull, tri transfere dhe të trija do të jenë shtatzëna. Transferet janë tjetër, domethënë tjetër procedurë, ndërsa deri te konfirmimi i shtatzënive shkon një kohë, do të thotë merr një kohë. Transfere kemi disa, përmbi dhjetëra transfere, mirëpo konfirmimet e shtatzënive janë në fillim, domethënë nja dy janë konfirmu deri tash”, tha Ndrejaj.
Ndrejaj tha se ka interesim shumë të madh për këtë procedurë, mirëpo duhet kohë deri sa të vihet tek rezultati.
“Po, shumë, interesimi është tepër i madh. Është aq i madh sa që shpesh nuk po kemi mundësi edhe të gjithat të pranohen, po bëhet një klasifikim ngadalë, që ndoshta duhet të pritet një periudhë deri sa të vijnë deri te intervenimi, domethënë stimulimi i vezoreve dhe marrja e qelizave vezë dhe deri te mbarësimi dhe transferi i qelizave. Domethënë, ndoshta pritet, pritet një kohë te pacientja”, tha ai.
Ndërkaq ai shpjegoi se dy tentimet e para janë falas, pra edhe intervenimi dhe preparatet hormonale, por në rast se duhet më shumë herë mandej do të jetë një kosto që sipas tij nuk është shumë e madhe.
“Po, dy e kemi cekë disa herë se dy procedurat e para, domethënë dy tentimet e para, shkojnë janë falas në tërësi. Edhe intervenimi, po edhe preparatet hormonale. Ndërsa nëse ka nevojë që një paciente të shkojë me procedura të tjera, të tretën, të katërtën, atëherë do të jetë një kosto, po ende nuk është caktu. Do të jetë një kosto simbolike, me siguri shumë më pak se sa në klinikat private”, tha Ndrejaj.
