Në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, dëshmitari dhe drejtori i Departamentit të Ujit dhe Gjenerimit në këtë ndërmarrje, Ernest Kerqeli, ka deklaruar se ekipet policore, KFOR-i dhe punëtorët e ndërmarrjes kishin arritur në vendin e ngjarjes pas shpërthimit, ndërsa sanimi kishte nisur vetëm pasi hetuesit kishin dhënë miratimin, raporton Ekonomia Online.
Gjatë dëshmisë, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, e ka pyetur Kerqelin nëse në vendin e ngjarjes kishte pasur edhe ekipe të hetuesisë.
“Forcat policore, KFOR-i dhe punëtorët tanë që kanë mbërritur më shpejt se unë. Ne nuk kemi filluar me sanim pa na dhënë hetuesit aprovimin. Kanë qenë duke marrë mostrat, edhe ekspertë të tjerë kanë ardhur”, tha ai.
I pyetur nga gjyqtari nëse kishte vërejtur ndonjë gjurmë të shpërthimit apo të personave në vendin e ngjarjes, Kerqeli tha se nuk kishte vërejtur.
“Jo, nuk kam vërejtur”, tha ai.
Ndërsa, i pyetur se çfarë dëmi do të shkaktohej nëse nuk do të ndërmerreshin masat e menjëhershme për sanimin e dëmit, Kerqeli ka deklaruar se pasojat për qytetarët dhe infrastrukturën e Kosovës do të ishin shumë të mëdha.
“Dëmet kishin me qenë shumë të mëdha për qytetarët e Kosovës, rrymë nuk do të kishim pas, linja telefonike nuk do të kishim pas. Qytetarët e Prishtinës dhe të tjerë që furnizohen nga Termokosi nuk do të kishim mundur t’i nxehim. QKUK nuk do të kishte me pas energji, nxehje dhe ujë. Ndalja e menjëhershme e Termocentralit B shkakton pasoja të mëdha në infrastrukturë. Dëmet do të kishin qenë të mëdha edhe në inf. Dëmet do të kishin me qenë milionëshe në ditë, çdo ditë që do të ishim vonuar dëmet do të ishin rritur milion mbi milion”, tha ai.
