Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu deklaroi sot se të gjitha banesat që do të konstatohen të dëmtuara do të shemben.
“Rivlerësimi i një banese ka tri gjendje. Gjendja e parë, kur banesa ka dëmtime të lehta, çarje që riparohen dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje në strukturë. Gjendja e dytë e objektit është kur banesa ka dëmtim në strukturë, por nuk është në kolaps. Dhe në këtë rast, objekti i nënshtrohet një projekti i cili do të bëjë përforcimin e këtyre strukturave që janë të dëmtuara, kurse në rastin kur objekti ka vajtur në kolaps objekti do të shkatërrohet”, – u shpreh Hysenlliu gjatë një prononcimi për një nga mediat në vend.
Sipas tij, procesi do të zgjasë, pasi dëmtimet janë të shumta, ashtu si edhe kosto do të dalë pasi të mbarohet aktekspertiza.
Instituti i Ndërtimit, theksoi Hysenlliu, i ka të gjitha kapacitetet për të bërë demolimin e ndërtesave të dëmtuara. Fillimisht, tha ai, do të nisë çmontimi për banesat në Kënetë.
Hysenlliu vuri në dukje se në ato objekte që është punuar me inxhinierë e projektues, standardi është zbatuar dhe fakti tregon që këto objekte nuk kanë lëvizur. Por, vijoi më tej Hysenlliu, në ato objekte që nuk ka pasur inxhinierë, pra që janë ndërtuar në mënyrë vullnetare, ka problematikë.
Kreu i Institutit të Ndërtimit theksoi se fillimisht inspektimi po kryhet në banesat social-kulturore, si kopshtet, çerdhet, shkollat dhe objektet tjera.
Ai ka vlerësuar edhe bashkëpunimin me ekspertë të huaj që i janë bashkëngjitur grupit të ndërtuesve dhe arkitektëve shqiptarë për kontrollin e gjendjes së banesave pas tërmetit, pasi sipas tij, ndarja e eksperienca është vlerë e shtuar.