Drejtori i KDI-së për qeverinë e re: S’mund të reduktohet vetëm në numra dhe ndarjen e posteve

Prishtinë | 09 Pri 2025 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, komentoi qëndrimet e partive politike për formimin e institucioneve të reja.

Ai vlerësoi se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk mund të reduktohet vetëm në sigurimin e numrave dhe ndarjen e posteve.

“Konstituimi i institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, nuk mund të reduktohet vetëm në sigurimin e numrave dhe ndarjen e posteve. Dallimet mes LVV dhe partive që ishin katër vite në opozitë janë të theksuara në çështje thelbësore për të ardhmen e vendit, si dialogu me Serbinë, zhvillimi ekonomik dhe orientimi euroatlantik. Këto nuk janë thjesht dallime sipërfaqësore, por përplasje vizionesh që e bëjnë çdo koalicion potencial shumë më kompleks dhe më të vështirë për t’u arritur”, ka shkruar ai, duke shtuar se partitë duhet të bëjnë kompromise substanciale.

Pra, përtej politikave ditore, fushatës së ashpër, përplasjeve dhe diskursit fyes, sfida reale është nëse VV-ja dhe të tjerët kanë vullnetin për të shkrirë këto dallime dhe për të ndërtuar një qeverisje të përbashkët mbi baza strategjike dhe politike të qarta. Pa një kompromis substancial mbi këto prioritete dhe orientime politike, çdo qeveri mbetet e brishtë dhe e paqëndrueshme, pavarësisht numrave”, shkroi në facebook, Kryeziu.

Të ngjashme