Sylejman Baxhaku, drejtori i deritashëm i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, ka paraqitur dorëheqje nga kjo pozitë.
Në njoftimin e tij të bërë publik në rrjete sociale, arsye për këtë vendim ai thotë të kenë qenë ndërhyrjet e jashtme politike, si nga niveli lokal, ashtu edhe nga udhëheqja e partisë nga e cila ai vjen, Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Kur vendimmarrja dëmtohet nga ndërhyrjet e jashtme politike, si nga niveli komunal, ashtu edhe nga udhëheqja e partisë, përgjegjësia profesionale e drejtorit zbehet. Në kushte të tilla, ku struktura drejtuese anashkalohet në mënyrë të përsëritur, vazhdimi i detyrës është i pamundur”.
“Shëndetësia e Prizrenit meriton punë e integritet, jo lojëra politike”, shkroi Baxhaku.