Strategjia e Manchester Unitedit në transferime tani është më efektive dhe më produktive sesa gjatë viteve të fundit, sipas drejtorit ekzekutiv të klubit, Ed Woodwardit – cili i kundërshtoi kritikat drejt klubit.
“Djajtë e kuq” nuk e kanë nisur aspak në mënyrë mbresëlënëse sezonin e ri, pasi që ata radhiten në pozitën e 12-të në tabelën e Premierligës pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, vetëm dy pikë larg zonës së rënies nga Premierliga.
Përderisa presioni po shtohet mbi shpatullat e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer, Woodward dhe pronarët e klubit kanë qenë ata që kanë marrë më së shumti kritika nga tifozët dhe mediat për qeverisjen e tyre të klubit që kur Sir Alex Fergusoni u pensionua në vitin 2013.
Por, Woodward i ka kundërshtuar pretendimet se përqendrimi i Manchester Unitedit ka kaluar nga sukseset në fushën e lojës te sukseset komerciale, duke insistuar se departamenti i rekrutimeve është përmirësuar.
“Ekziston një mit që ne kemi njerëz që s’kanë lidhje me futbollin për të marrë vendime që kanë të bëjnë me futbollin. Kjo është ofenduese për njerëzit brilant që punojnë në aspektet sportive të këtij klubi”, ka thënë Woodward.
“Shumë prej stafit tonë në pjesën sportive në klub kanë qenë duke e bërë punën e vet për më shumë se dhjetë vjet. Disa nga skautët tanë kanë punuar me ne për më shumë sesa 25 vjet. Tani besojmë se ky departament punon në mënyrë më efektive dhe produktive”.
“Ajo që është e rëndësishme është se aspekti komercial asnjëherë s’guxon të ketë më shumë rëndësi sesa ai futbollistik. Ne jemi një institucion i mrekullueshëm futbollit që 141 vjet me shumë histori, trashëgimi dhe sukses. Kjo s’mund të ndryshojë asnjëherë. Duhet ta mbrojmë këtë”.