Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo, e ka akuzuar Real Madridin për siç tha, sjellje të jashtëligjshme, në përpjekjet e tij për ta blerë Kylin Mbappen nga gjiganti francez.
Mbappe është synimi kryesor i Madridit në vitet e fundit dhe gjiganti spanjoll e bëri ofertën e parë zyrtare për të të martën, e cila iu hodh poshtë menjëherë nga PSG-ja.
Në një intervistë për RMC, Leonardo sqaroi se Mbappe e ka njoftuar klubin se dëshiron të largohet për t’iu bashkuar klubit të ëndrrave.
Por ai është shprehur i ashpër me mënyrën sesi Madridi po tenton ta marrë francezin.
“Oferta e Real Madridit për Mbappen është një strategji e tyre për të thënë se bënë çdo përpjekje për ta blerë Mbappen dhe kaq, dhe pastaj të presin një vit dhe ta marrim falas. Real Madridi ka dy vjet që e bën këtë, kjo nuk është në rregull, është e jashtëligjshme sepse ata e kanë kontaktuar edhe vetë lojtarin”, tha Leonardo.
Ai shtoi: “Për ne është e papranueshme, sepse nuk është në rregull kështu. Kjo është strategjia e tyre, një ofertë shtatë ditë para mbylljes së afatit kalimtar dhe në vitin e fundit të kontratës së lojtarit. Ata duan që ne t’i refuzojmë ofertat e tyre dhe të thonë se bënë gjithçka dhe pastaj t’i nisin bisedimet për vitin e ardhshëm.”
PSG-ja nuk dëshiron ta shesë Mbappen, por Leonardo ka këmbëngulur se klubi nuk do ta mbajë kundër dëshirës së tij.
“Kylian Mbappe dëshiron të largohet. Nëse ai dëshiron të largohet, ne nuk do ta ndalojmë, por do të bëhet sipas kushteve tona”, ka thënë Leonardo.