Një burrë dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë zjarri gruan e tij në Llaushë të Skenderajt.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, burrin e viktimës, 51-vjeçar, i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë.
Nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë gëzhoja.
Ushtruesit i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Agron Mehmeti, në një lidhje direkte në emisionin Frontal në t7 ka treguar se viktima ka pasur tre plagë të rënda, dy në gjoksë dhe një në dorë.
Ai ka deklaruar se viktima ka qenë me shenja jete deri sa është dërguar në spitalin e Mitrovicës.
“Qendra Emergjente është njoftuar rreth orës 14:00 për një rast në fshatin Llaushë dhe menjëherë ka shkuar ekipa kujdestare me doktoreshën dhe ekipin e infermierëve në shtëpi dhe e kanë marrë një grua rreth moshës 48 vjeçare me plagë të rënda dhe e kanë transferuar menjëherë në qendrën emergjente dhe ju ka dhënë ndihma e parë dhe me autoambulancë me shenja jete ka shkuar deri në spitalin rajonal të Mitrovicës. Ekipa kur ka shkuar në shtëpi që ta marrë, e ka marrë me shenja jete, ka qenë gjallë deri në spitalin rajon të Mitrovicës, edhe pse në gjendje shumë të rëndë, me tri plagë të rënda, sipas drejtorit kujdestar. Plagët kanë qenë të lokalizume, në regjionin e gjoksit dy dhe në regjionin e dorës”, ka deklaruar ai.
Mehmeti ka thënë se viktima rreth orës 14:13 minuta është sjellë në QKMF në gjendje të rëndë.
“Në qendrën tonë ka ardh në orën 14:13 minuta, për Mitrovicë ka shkuar me shenja jete, por fatkeqësisht mundësitë për mbijetesë kanë qenë të vogla sipas mjekut kujdestar”, ka shtuar ai.