Drejtori i Shëndetësisë e sheh sfidë futjen e Prishtinës në karantinë, tregon për masat e marra

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 14:13 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kryeqytet trembëdhjetë persona janë konfirmuar si të infektuar me Coronavirus. Për dallim nga qytetet e tjera Prishtina nuk e ka asnjë lagje të izoluar apo në karantinë, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi izolimin e lagjeve të qytetit që kanë të prekur me Coronavirus po e sheh si problematike dhe vështirë të zbatueshme.

Gashi në një intervistë për Ekonomia Online tha se i mbetet nivelit qendror të vendos për këtë çështje.

“Izolimet apo karantinimt i lagjeve apo qyteteve në rend të parë masat të cilat janë marrë nga IKShP-ja të cilat nuk jam kompetent t’i diskutoj, janë vendime të nivelit qendrorë të cilat ne si komunë e Prishtinës i zbatojmë çfarëdo vendimi që vjen nga niveli qendrorë”.

“Mendimi im personal për komunë e Prishtinës, lagjet janë të mëdha dhe karantinimi cilido ai mendoj që do të jetë një sfidë në vete në të ardhmen sepse është bukur problem që të izolohet një lagje e tërë”.

Gashi propozon që nëse vendoset për izolime është mirë që të izolohen banesat kolektive apo të bëhen izolime private, por gjithmonë me rekomandim të IKShP-së.

“Idetë  e tjera të cilat munden me ardhur në izolime më të vogla ose individuale të hyrjeve, për shembull nëse kemi të bëjmë me banimin kolektiv ose banimin individual izolime private, por prapë nëse do të kemi rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Si komunë e Prishtinës ende nuk kemi marrë vendim  sepse është kompetencë e  nivelit qendrorë”.

Kurse gjendja e personave të cilët janë pozitiv të virusit Corona sipas drejtorit Gashit është stabile, raporton EO.

“Pacientët të cilët janë konfirmuar si pozitiv dhe të cilët janë në vetizolim në baza ditore kontaktohen nga IShKP-ja dhe normalisht marrin këshilla se si duhet të  sillen gjatë kohës sa do të jenë në karantinim shtëpiak edhe pacientët mirëpo edhe familjarët e tyre të cilët qëndrojnë me familjarët e tyre”.

Qendrat e Mjekësisë Familajre sipas Gashit janë të furnizuara me mjete mbrojtëse dhe material tjetër shpenzues.

“Deri tani jemi mirë me furnizim, nuk jemi në atë nivelin siç duhet me qenë mirëpo kemi masa mbrojtëse kemi maska dorëza dhe pajisje të tjera për punëtorët shëndetësorë sidomos në pikat kryesore në të cilat  punëtorët shëndetësorë janë 24 orë, si në qendrën e studentëve në karantinën kryesore ku ekipet e tona të mjekësisë familjare janë 24 orë në tendën që Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ekipet e mjekësisë urgjente gjithsejtë 4 ekipe dhe pikën kufitare, këto 24 orë janë të furnizuara me pajisje mjekësore mbrojtëse”.

“Orari sa i përket punës është i zakonshëm përveç ndryshimit që kemi pasur, në 2 ndërrime kemi kaluar në 1 ndërrim, një pjesë e madhe e QKMF-ve punojnë 12 orë arsyeja është në mbrojtjen e stafit gjithashtu edhe në kursimin e pajisjeve mbrojtëse”.

Deri më tani në vendin tonë janë 94 persona që kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus, një person i shëruar dhe 1 i vdekur.

Të ngjashme