Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues i Kosovës (ShKK), Ismail Dibrani, ka thënë se dy të arratisurit nga burgu, Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj, e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit të vikendit në shtëpi, raporton Ekonomia Online.
“I dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuar prej 25 vitesh, ai ka përfunduar 1/2 e dënimit në vitin 2012 dhe sipas legjislacionit në fuqi i dënuari i cili kalon 1/2 e dënimit, ka të drejtë ta kalojë vikendin në shtëpi. I njëjti për disa herë ka shfrytëzuar këtë mundësi, pra e ka kaluar vikendin në shtëpi por është rikthyer në burg”, u shpreh Dibrani, teksa foli edhe për të arratisurin tjetër, Ujkan Mataj i dënuar më 11 vjet burgim pas i njëjti kishte ndihmuar Kamer Metajn të kryejë grabitje në një bankë në Istog, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Izet Demaj si dhe grabitësi i bankës.
“Po ashtu i dënuari tjetër (Ujkan Mataj) ka qenë i dënuar më 11 vite dhe i njëjti në janar të këtij viti e ka fituar të drejtën për ta shfrytëzuar vikendin në shtëpi”, u shpreh Dibrani.
Sipas tij, janë 56 të burgosur të cilët nga burgjet e Kosovës janë arratisur ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e vikendit jashtë.
Në këtë listë ka persona të arratisur qysh nga viti 2007 e deri këtë vit në dy të fundit që bënë bujë në vend – Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj.