Në Klinikën Infektive ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë para mediave se sot është ditë e mbarë për Kosovën pasi vendi po i bashkëngjitet shteteve të tjera në luftën kundër Covid-19.
“Deri më tani, bota ka pasur në përdorim vetëm metoda parandaluese ato që edhe ne i kemi përmendur dhe tani përmes vaksinimit po synohet që t’i jepet fund pandemisë. Unë kam një mesazh të qartë që virusi është ende prezent. Vaksina është e sigurt dhe çdo qytetarë duhet të ndihet i sigurt për ta marrë këtë vaksinë”.
“Ju lutem respektoni masat. Jemi në një fazë të rëndë me virusin, sot kemi mbi 900 pacientë që janë të shtrirë. Duhet patjetër të respektohen masat”.
Krasniqi tha se edhe pse punëtorët shëndetësor janë lodhur, ata nuk e kanë ndërmend të dorëzohen.
“Është e vërtetë që punëtorët shëndetësor janë të lodhur por nuk do të dorëzohen asnjëherë. Nuk dorëzohemi para këtij virusi megjithatë lusim qytetarët që të na ndihmojnë sado pak në respektimin e masave në mënyrë që t’ua bëjmë më të lehtë punën e punëtorëve shëndetësor”.