Drejtori i Urbanizmit në Gjilan njofton nisjen e projektit 18 milionësh në qytet

Prishtinë | 06 Gus 2026 | 13:23 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Flakron Rexhepi, ka njoftuar se ka nisur faza intensive e ndërtimit të një projekti të madh urban, i cili përfshin Bulevardin dhe objektin e Administratës së re Komunale.

Përmes një postimi në facebook, Rexhepi ka bërë të ditur se pas përfundimit të ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjes së brezit qendror, projekti ka hyrë zyrtarisht në fazën e ndërtimit.

Sipas tij, Drejtoria e Urbanizmit ka përmbyllur koordinimet administrative dhe teknike të nevojshme për realizimin e projektit.

“Pas përfundimit me sukses të të gjitha ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjes së plotë të brezit qendror, projekti i përbashkët i Bulevardit dhe Administratës së re Komunale po kalon zyrtarisht në fazën e tij më intensive të ndërtimit.

Drejtoria e Urbanizmit ka përmbyllur me saktësi të gjitha koordinimet e nevojshme administrative dhe teknike, duke siguruar që ky projekt integral të zhvillohet sipas planeve tona dinamike të parashikuara që nga dita e parë”, ka shkruar Rexhepi.

Investimi kap vlerën e rreth 18 milionë eurove dhe, sipas Rexhepit, synon krijimin e një Gjilani modern, me hapësira të gjelbra, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë të nivelit evropian.

Të ngjashme