Dorëheqja e së premtes e drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës të Kosovës, Agron Selimaj vjen në kohën kur dyshime të shtuara për keqpërdorime dhe falsifikime në AKI kanë nisur të shfaqen edhe publikisht. Për më tepër, tre punonjës të AKI-së i kanë shkruar në një letër të gjitha dyshimet për keqpërdorime në AKI, dhe ia kanë dërguar kryeministrit Isa Mustafa. Për rastin është në dijeni edhe presidenti Thaçi. Por askush prej të implikuarve nuk flet.
“Koha Ditore” në numrin e së shtunës ka publikuar të dhënat e gjetura në letrën në fjalë, ndërsa thuhet se më datën 29 qershor të vitit 2015, përmes postës elektronike, Shkëlzen Sopjanit, drejtorit të Inspektoratit të kësaj AKI-së, i ishte dërguar draft-raporti i auditimit financiar për vitin 2014 nga punonjësit e Departamentit të Auditimit. Ishte theksuar se gjatë auditimit financiar të AKI-së kishin hasur në dëshmi që ngrenë dyshimin për falsifikim të dokumenteve nga anëtarët e komisionit përzgjedhës për pranim të punonjësve të AKI-së, Bashkim Smakaj e Agron Selimaj.
Në këta formularë, Latif Merovci, njëri nga anëtarët e komisionit përzgjedhës i ka vlerësuar me zero pikë dy kandidatët, duke shënuar në formularin e vlerësimit “kandidatët nuk iu kanë nënshtruar asnjëherë procesit të testimit me shkrim dhe intervistimit”. Gjithashtu, ky anëtar i komisionit ka shënuar se “formulari i intervistës iu ka dhënë nga njëri anëtar i komisionit që ta plotësojë pa prezencën e të intervistuarve, me çka ai ka ngritur dyshime për falsifikim të testimit me shkrim dhe me gojë”.
Me qëllim që kjo e gjetur të mos figurojë në draft-raportin e auditimit financiar të AKI-së për vitin 2014, sipas letrës së dorëzuar në formë ankese nga punonjësit e Departamentit të Auditimit në Qeveri, Sopjani kishte ushtruar presion që kjo e gjetur të largohet nga draft-raporti i auditimit financiar gjatë një dreke në lokalin “Collection”.
“Kjo mund të dëshmohet nga auditorët Naim Ibrahimaj, Bekim Rexhepi dhe Zana Uka, pjesëmarrës në takim, ku gjatë gjithë kohës pa asnjë argument është kërkuar që të largohen gjetjet nga draft-raporti i auditimit financiar të AKI-së për vitin 2014”, thuhet në letër.
Edhe përkundër presioneve, sipas kësaj letre, punonjësit nuk i kanë tërhequr këto të dhëna nga draft-raporti. Dokumenti i ishte dërguar Sopjanit, së bashku me gjetjet. Mirëpo, në raportin final të datës 24 korrik të vitit 2015, i finalizuar po nga Sopjani dhe i cili u ishte dërguar drejtorit të AKI-së e kryeministrit, nuk kanë figuruar këto gjetje.
Në ankesën dërguar kryeministrit, punonjësit e AKI-së insistojnë se bëhet fjalë për vepër të rëndë penale. “Në bazë të nenit 434 të Kodit Penal të Kosovës, falsifikimi përbën vepër penale. Ka qenë kompetencë e Shkëlzen Sopjanit, që t`u drejtohet institucioneve kompetente për zbardhjen e këtij rasti…Deri më tani, nuk është ndërmarrë asnjë masë”, thuhet në letër.
Po sipas kësaj letre, në vazhdimësi të presioneve ndaj punonjësve të Departamentit të Auditimeve është përfshirë edhe “një takim në lokalin “Bon Vivant”, ku Sopjani thuhet se kishte deklaruar se për shkak të mospajtimeve, të cilat i kishte pasur në lidhje me draft-raportin e auditimit financiar për vitin 2014, ka shqyrtuar mundësinë të bisedojë me drejtorin e AKI-së që Naim Ibrahimaj të transferohet në një pozitë tjetër.
“Gjithashtu, gjatë kësaj kohe ka tentuar që pa asnjë arsyetim të largojë nga Departamenti i Auditimeve punonjësit e këtij Departamenti, pa asnjë bazë apo arsye”, vazhdon letra.
Këto veprime, sipas letrës, Sopjani i ka bërë duke u bazuar në atë se “unë jam inspektor i përgjithshëm dhe bëj çfarë të dua, kam autoritet dhe se çfarë bëj unë, nuk ju intereson”.
Po ashtu, sipas punonjësve, Sopjani ka insistuar që t`i largojnë disa gjetje edhe në draft-raportin e vitit 2015, të cilin e kanë dërguar te Sopjani më datën 05.03.2016 përmes postës elektronike. Ata kanë thënë se Sopjani i ka kërcënuar auditorët “edhe me likuidim fizik me qëllim të frikësimit”.
Çështje tjetër, që sipas punonjësve kanë pasur presion nga Sopjani për ta hequr nga draft-raporti kishte të bënte me “shfrytëzimin pa bazë ligjore të subvencioneve dhe transferimeve në shumën prej 245.750,00 eurosh” për dhënien e shpërblimit të punonjësve të AKI-së, duke vepruar kështu në kundërshtim me shpenzimin e parave publike.
“Gjithashtu, duke e fshehur qëllimin e dhënies së subvencioneve, AKI-ja ka paraqitur të dhëna të rrejshme në pasqyrat financiare për vitin 2015, me çka dyshohet se është kryer vepra penale, përvetësimi në detyrë e sanksionuar me Kodin Penal”, thuhet në letër.
Me këtë letër, punonjësit i kanë kërkuar kryeministrit Mustafa që të ndërmarrë masa ndaj Sopjanit dhe drejtorit të AKI-së, Agron Selimaj, “me qëllim që të ndalen keqpërdorimet e kompetencave, të ndalen shkeljet ligjore, presionet dhe kërcënimet që janë bërë dhe janë duke u bërë ndaj punonjësve të Departamentit të Auditimeve, si dhe punonjësve të tjerë në AKI, si dhe të vendoset ligjshmëria në zyrën e inspektorit të përgjithshëm të AKI-së.
“Kjo situatë në mënyrë të drejtpërdrejtë e rrezikon funksionalitetin e zyrës së inspektorit të përgjithshëm dhe në mënyrë indirekte rrezikon sigurinë e Kosovës”, përmbyllet letra.
Për të mësuar më shumë rreth trajtimit të kësaj letre nga Qeveria, gazeta ka kontaktuar Faton Abdullahun, këshilltarin e kryeministrit, Isa Mustafa. Mirëpo, edhe pse ka qenë në dijeni për rastin, nuk është përgjigjur.
Janë kontaktuar edhe Bekim Çollaku e Ardian Arifaj, nga kabineti i presidentit Hashim Thaçi, mirëpo as prej tyre gazeta nuk ka arritur që të marrë përgjigje.
Ndërkaq, drejtori i Inspektoratit të AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se të gjitha janë spekulime dhe nuk ka asgjë prej “kësaj pune”. I pyetur nëse i kanë denoncuar ato spekulime, ka thënë se gjithçka është duke shkuar në bazë të procedurave.
“Jam në një takim, i kemi do zhvillime të brendshme. Kërkoj falje”, ka thënë shkurt Sopjani.