Në vazhdën e projekteve mbështetëse Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Bujqësisë ka bërë sot shpërndarjen e një sasie të mekanizimit bujqësor për disa nga fermerët ferizajas. Me këtë rast është thënë se vlera e këtij projekti ka shumën e 70 mijë eurove.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se përkushtimi i institucioneve karshi kësaj kategorie mbetet prioritet. Madje këtë përkushtim ia ka adresuar drejtorisë e cila me ndryshimet që ka bërë në politikat e këtij sektori dita ditës po i fuqizon edhe më shumë veprimtaritë bujqësore.
“Drejtoria e Bujqësisë dhe drejtori edhe gjatë hartimit të platformës sonë qeverisëse pikërisht ka ndryshuar, dizajnuar këto politika mbështetëse në mwnyrë që të krijojnë efekte direkte dhe jo që diçka që mund të quhet abuzive. Ka qenë zotim i ynë që do të mbështeten ata fermerë që janë më të vërtetë të përkushtuar për tu marrë me veprimtari bujqësore” ka thënë Aliu, teksa ka shtuar se pikërisht përmes këtij mekanizmi po e dëshmojmë atë zotimi tonin.
“Siç e dini nuk është e vetmja mbështetje që ka ndryshuar, nuk është e vetmja mënyrë e ridizajnuar e mbështetjes financiare, sepse ju e dini se ne kemi bërë edhe projekte tjera që kanë qenë ridizajnim, por gjithçka që është ridizajnuar dhe ndryshuar në kuadër të kësaj mbështetje financiare për fermerët paraja publike, subvencionet të përfundojnë te ata .Ne edhe sot jemi këtu që të tregojmë se do të bëjmë përpjekjet tona që të vazhdoi kjo mbështetje për fermerët” ka thënë Aliu.
Në anën tjetër fermeri Basri Avdyli nga fshati Softaj e ka vlerësuar këtë përkrahje të komunës, duke thënë se ky mekanizëm hyn në funksion. Madje ka shtuar se nevojat shkojnë edhe përtej këtyre projekteve.
“Ne kemi nevoja për mekanizëm dhe ky është projekt mese i qëlluar. Fuqizimi i këtij sektori kërkon përkrahje të vazhdueshme ” ka thënë Avdyli.
Për më tepër edhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami, ka thënë se me këtë projekt po synohet që të krijojnë lehtësira kualitative për fermerët.
“Së bashku me Kryetarin Aliu jemi të përkushtuar që fermerët t’i furnizojmë me mekanizm të ri bujqësor dhe ky të jetë jetëgjatë.Ta kemi parasysh ka qenë projekti i kamtave të kredive, por veprimi i permbaruesve ka sjell vështërsi dhe ne e kemi parparë që përmes këtyre projekteve t’i mbështesim fermerët”, ka thënë Bajrami.
Ndryshe shpërndarje e mekanizmit bujqësor është paraparë që të realizohet në faza.Gjatë ditëve të ardhshme kjo drejtori do të bëj edhe shpërndarje tjera.