Në ditën e shënimit të katër vjetorit të anëtarësimit në UEFA, presidenti Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të KE të FFK-së, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, anëtarëve të administratës dhe drejtuesve të grupit të tifozëve “Dardanët”, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Fadil Vokrri.
Me këtë rast u vendosën kurora lulesh dhe u bënë nderime për veprën dhe karrierën e legjendës.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e vlerësoi edhe një herë punën e ish-presidentit dhe të gjithë protagonistëve tjerë që nga mëvetësimi drejt finalizimit të ëndrrës dhe sakrificës së shumë gjeneratave për të qenë pjesë e familjes evropiane të futbollit, duke u zotuar se edhe në vitet e ardhshme drejtuesit e FFK-së do ta vazhdojnë me përgjegjësi rrugën e sukseseve.
Ndërkohë, presidenti Ademi gjatë ditës së sotme ka marrë urime të shumta për 4-vjetorin e anëtarësimit në UEFA nga homologë të federatave tjera, drejtues të institucioneve vendore, nga drejtues të klubeve, si dhe nga futbollistë e ish-futbollistë, trajnerë, bashkëpunëtorë e dashamirë të shumtë të FFK-së.