Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i përbërë nga Visar Ymeri, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, është pritur në takim edhe nga eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein.
Tanja Fajon është anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhënie me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa Knut Fleckenstein është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian. Të dy bashkë janë pëfaqësues të lartë të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.
Sipas një komunikate shtypi të lëshuar nga VV, në këtë takim u diskutua procesi zgjedhor në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re bazuar mbi këto rezultate. Delegacioni i njohu eurodeputetët me prioritetet e programit qeverisës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe me faktin që tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik më i votuar në Kosovë me 32 deputetë në Kuvendin e ardhshëm.
“Eurodeputetët e përgëzuan delegacionin për këto rezultate duke diskutuar gjithashtu edhe për një bashkëpunim më të afërt dhe më intensiv mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe social-demokratëve të Parlamentit Evropian”, thuhet në njoftimin për medie të VV-së.
Delegacioni i Vetëvendosjes do të vazhdojë edhe sot takimet në Bruksel.
Express: Komisioneri Hahn thyen traditat e BE-së, pret deputetë të pacertifikuar
Gazeta Express shkruan se komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, me të cilin lidershipi kosovar nuk ka edhe aq raporte të mira për shkak të marrëdhënieve të veçanta të tij me Serbinë, nuk e ka pritur fare konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë për të pritur në zyrën e tij disa përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian, sot në mëngjes shkruante se në orën 11:45, Hahn pret një grup të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, ndonëse Parlamenti i Kosovës është shpërbërë muaj më parë dhe ende nuk është konstituuar Parlamenti i ri.
Përkundër kësaj, pa u certifikuar ende rezultatet zgjedhore dhe pa u betuar deputetët e rinj, mësohet se Hahn kishte vendosur të priste Albin Kurtin, Visar Ymerin dhe Shpend Ahmetin.
Ky i fundit është kryetar i Prishtinës dhe zyrtarisht ka deklaruar se nuk do ta mbajë mandatin e deputetit.
Që nga përfundimi i procesit zgjedhor, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar takime të ndryshme në Bruksel, në përpjekje për t’i bindur ata se mund të jenë partner kredibil në temat si dialogu me Serbinë dhe themelimi i “Zajednicës”, shkruan Express.
“Ndërsa, komisioneri Hahn ose ka harruar që në Kosovë janë mbajtur zgjedhje të lira dhe ende nuk janë konstituuar as parlamenti dhe as qeveria e re, ose për më keq, ai me vetëdije po provon të promovojë dhe ndikojë në procesin paszgjedhor në Kosovë”, përfundon gazeta.