Dreka me Macron në Elysse, Kurti vazhdon t’i bëjë jehonë, Franca ende asnjë fjalë për takimin

Prishtinë | 31 Mar 2026 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Të premten e javës së kaluar, kryeministri i vendit, Albin Kurti, u prit në për takim nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris. Me të arritur aty, Macron e priti krah hapur Kurtin, teksa përshëndetja mes tyre u pa si mjaftë e ngrohtë. E njëjta më pas, u përcoll nga një takim ‘’dy orësh’’, me diskutime të ndryshme.

Të paktën kështu u tha nga Kurti e zyra e tij, pasi që i vetmi version për këtë takim, është nga këta të fundit.

Së pari nga ZKM’ja u tha se Macron e uroi Kurtin në rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë, ku më pas u theksua edhe roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.

‘‘Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës, e cila është para së gjithash siguria e kufijve të saj, pastaj për ndërtimin e vazhdueshëm të kapaciteteve mbrojtëse lokale, marrëdhëniet me fqinjin verior Serbinë në lidhje me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëpunimin me aleatët e Atlantikut të Veriut dhe sigurinë rajonale në Ballkan’’, u shtua mes tjerash nga Zyra e Kryeministrit.

Pas ZKM’së, për takimin shkroi edhe vetë Kurti. I pari i qeverisë tha se, gjatë këtyre dy orëve ata diskutuan për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, angazhimin e misioneve të BE’së, si dhe angazhimin e Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

‘‘I kërkova Presidentit Macron mbështetjen e Francës në rrugën tonë drejt integrimit në BE dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja biznesi Kosovë-Francë. Ngrita gjithashtu çështje të sigurisë, forcimit të aftësive tona mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë’’, shkroi Kurti në postimin e tij, pas takimit me liderin francez.

Përveç kësaj, Kurti dha komente edhe ditën e djeshme. Kryeministri sërish potencoi se takimi zgjati rreth dy orë, ku ‘‘pritja e përzemërt u pasua nga një diskutim i thellë dhe i sinqertë’’, dhe që, gjatë të njëjtit u folën temat ‘‘e bashkëpunimit, integrimit, sigurisë, mbrojtjes, si dhe ekonomisë dhe zhvillimit”.

“Gjithashtu, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe marrëdhënieve me fqinjët veriorë të Kosovës ishin çështje që diskutova me presidentin francez”, shtoi Kurti dje.

Porse, në anën tjetër, kaq i ‘zëshëm’ për këtë takim s’ishte edhe Macron. Për dallim nga Kurti, udhëheqësi i Francës s’ka pasur kurrfarë deklarimi.

As në profilet e tija personale e as në ato të institucioneve franceze, nuk ka pasur ndonjë komunikatë për takimin e Macron dhe Kurtit, e as ndonjë detaj për çështjet që janë diskutuar aty.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në ambasadën e Francës për të marrë qëndrim apo ndonjë detaj nga ky takim, porse, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, s’është pranuar ndonjë përgjigje./GE

Të ngjashme