Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim drejtorin e Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Hoxhë Halil Kastrati, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin me këtë shoqatë për ndërtimin e shtëpive për familjet që kanë nevojë.
Lladrovci ka falënderuar Kastratin dhe shoqatën e tij, për ndihmën që i ka ofruar familjeve të Komunës së Drenasit, si për ndërtimin e shtëpive, dhënien e banesave dhe për ndihma të tjera për ato familje që kanë nevojë.
Ai ka njoftuar Kastratin se shumë shpejt do të zyrtarizojnë bashkëpunimin për ndërtimin e shtëpive për skamnorët, përmes nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit, ku një pjesë të investimeve për ndërtimin e tyre do të mbulojë me mjete buxhetore edhe Komuna për vitin 2019.
Kastrati, ka falënderuar kryetarin Lladrovci për takimin dhe bashkëpunimin e ofruar për t’i ndihmuar familjet e Komunës së Drenasit. Ai ka thënë se po bëhet një zgjidhje e mirë institucionale me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për ndërtimin e shtëpive.