Gjatë vizitës zyrtare në Slloveni, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot është pritur nga homologu i tij në Kranj, Matjazh Rakovec, me ç’rast u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit si dhe binjakëzimit të Drenasit me Kranjin.
Lladrovci ka theksuar “mundësitë që ofron komuna e Drenasit për investitorët, në veçanti për ata nga Sllovenia, duke qenë një nga shtetet me më shumë investime në Kosovë. Po ashtu, fola për parkun e Biznesit, klimën e të bërit biznes dhe përkrahjen që ofron komuna dhe niveli qendror për investitorët potencial.”
Postimi i Lladrovci në fb:
Me kryetarin e Kranjit në Slloveni, z. Matjazh Rakovec, i cili më priti jashtëzakonisht mirë, diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave tona me interes të dyanshëm. Këtu e hapëm edhe çështjen e binjakëzimit të komunave tona dhe së shpejti do ta jetësojmë këtë.
Unë potencova mundësitë që ofron komuna e Drenasit për investitorët, në veçanti për ata nga Sllovenia, duke qenë një nga shtetet me më shumë investime në Kosovë. Po ashtu, fola për parkun e Biznesit, klimën e të bërit biznes dhe përkrahjen që ofron komuna dhe niveli qendror për investitorët potencial.
Shqiptarët në Kranj, kanë dëshmuar shumë sukses, jo vetëm me biznese, por edhe me aktivitete tjera të cilat e bëjnë çdo shqiptar krenar.
E ftova z. Rakovec të vije mysafir në komunën tonë dhe të trajtojmë mundësitë e bashkëpunimit. Pasi homologu im ishte sportist dhe tërë familjen e ka që merret me sport, është edhe një argument më shumë për ta pritur edhe në shtëpi, në Gllanasellë.
Faleminderit z. Rakovec për mikpritjen, ju presim në Drenas!