Drenica është mbuluar nga uji.
Vërshimet kanë përfshirë shumë fshatra të saj. Një numër i madh i banorëve mbetën pa strehë, por edhe pa gjëra elementare.
Rrezikohet të shfaqet edhe një epidemi e mundshme.
Politikanë dhe personalitete të tjera po shfrytëzojnë rastin për të bërë gjoja bamirësi në këtë rajon.
Por, në fakt, ata nuk po ndihmojnë Drenicën, por po e ofendojnë popullin e saj. Drenica nuk ka nevojë për ndihmën e asnjë qytetari, por për dorën e shtetit.
Në buxhetin e Kosovës janë të pa shpenzuara mbi 700 milionë euro. Nëse shteti do të intervenonte në këtë rajon, atëherë do të ishte një ndihmë e vërtetë për popullsinë e Drenicës.
Është i tmerrshëm trendi i deklaratave, poezive e folklorizmave të tjera rreth kësaj teme, në kurriz të njerëzve të varfër.
Populli i Drenicës mund të ketë edhe të varfër, por ata janë krenarë, nuk kanë nevojë për lëmoshën e askujt.
Turp për disa që fotografojnë veten me familje të varfra me ushqime të minimarketeve, me arsyetimin se gjoja po bëjnë bamirësi.
Kjo është një maskaradë e turpshme që nuk ndihmon në asgjë.
Në këtë maskaradë, po marrin pjesë edhe analistët e studiove televizive, por edhe personalitete të tjera si pronarë të gazetave e portaleve.
Ata po shfrytëzojnë situatën për të fituar popullaritet, duke shpërfillur nevojat e vërteta të popullsisë.
Ikni prej aty.
Drenica krenare nuk ka nevojë për ju.
Presioni duhet të bëhet te qeveria, në mënyrë që aty të shpërfaqet dora e shtetit.
E jo dora e hajgarexhinjve të rrjeteve sociale.
(Autori është ish-deputet i AAK-së dhe anëtar i Kryesisë së kësaj partie)